Bonusi i bebes nuk do të jepet më për familjet që jetojnë jashtë Shqipërisë

Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë miratoi sot në parim ndryshimet në ligjin “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, ku në fokus ishte “Bonusi i bebeve”.

Sipas propozimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ky bonus nuk do të jepet më për familjet që jetojnë jashtë territorit shqiptar.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Denada Seferi, tha se “kjo masë u propozua në kontekstin ku një ndër synimet e qeverisë ishte ndërtimi i një politike sociale universale dhe një program të ri social të quajtur “Bonusi i bebes” për mbështetjen e çdo të porsalinduri dhe familjeve të tyre, e cila u adresua përmes garantimit të shpërblimit financiar për çdo fëmijë të ardhur në jetë, pavarësisht, statusit social dhe ekonomik, si dhe në kuadër të incentivave për rritjen e natalitetit”.

“Ndihma e menjëhershme financiare (bonusi i bebes) për prindin/prindërit me foshnja të porsalindura është, si më poshtë vijon: në masën 40 000 (dyzet mijë) lekë për lindjen e foshnjës së parë; në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë për lindjen e foshnjës së dytë; në masën 120 000 (njëqind e njëzet mijë) lekë për lindjen e foshnjës së tretë dhe të foshnjave të tjera në vijim; për prindërit që sjellin në jetë dy foshnja të lindura njëherësh (binjakë), masa e përfitimit do të jetë në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë për secilën foshnjë; për prindërit që sjellin në jetë më shumë se dy foshnja të lindura njëherësh (trinjakë dhe më shumë), masa e përfitimit do të jetë 120 000 (njëqind e njëzet mijë) lekë për secilën foshnjë”, nënvizoi Seferi.

Zv/ministrja Seferi tha se “përgjatë viteve 2019 – 2021, pra me miratimin e këtij programi, janë mbështetur 117 942 fëmijë të lindur brenda ose jashtë vendit. Për vitin 2022 janë mbështetur 42 761 fëmijë të porsalindur. Janë shpërndarë 24 504 çeqe për fëmijët e lindur brenda vendit dhe 18 257 çeqe për fëmijët e lindur jashtë vendit. Fondi për zbatimin e këtij programi për vitin 2022 shkoi në vlerën 3 100 000 000 lekë. Për 6 muajt e parë të 2023 janë mbështetur 28 430 fëmijë”.

Zv/ministrja Seferi u shpreh se “bazuar në analizën e kryer për përfitueshmërinë e programit dhe të politikës për mbështetjen e familjeve me fëmijë të porsalindur, si dhe vlerësimet e kryera, konstatohet se prindërit e fëmijëve të lindur jashtë Republikës së Shqipërisë përfitojnë pagesa të ngjashme për lindjen e fëmijëve edhe sipas legjislacionit në vendet ku ata jetojnë e punojnë, duke përfituar kështu pagesa (shpërblime) të dyfishta”.

“Qëllimi i politikës së shpërndarjes së bonusit të bebes është që të mbështesë familjet, të cilët jetojnë dhe kontribuojnë në Republikën e Shqipërisë, duke i dhënë atyre një shpërblim financiar për të përballuar shpenzimet e lidhura me sjelljen në jetë të fëmijëve”, tha zv/ministrja Seferi.

Deputetët e opozitës kërkuan shtyrjen me një javë të mbledhjes së komisionit pasi kërkuan që grupe interesi të vijnë në komision për të krijuar një vizion më të qartë për këtë pr/ligj.

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, pjesë e grupit të Rithemelimit tha se “bonusi i bebes nuk ka pasur efekte pozitive”.

Sipas saj, ko politikë nuk ka funksionuar ka qenë thjesht elektorale.

Ndërsa deputetja e PS-së, Klodiana Spahiu tha se “bonusi i bebes ka pasur impakt shumë pozitiv dhe nga informacionet e ministrisë kemi të gjitha lindjet që kanë ndodhur nga viti në vit. Ajo që është vënë re është fakti që kemi përfitim të dyfishtë të prindërve që i lindin fëmijët jashtë territorit. Të eliminojmë këtë përfitim të dyfishtë për fëmijët, që lindin jashtë territorit”.

Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë do të mblidhet sërish në mbledhje për ta miratuar pr/ligjin nen për nen dhe në tërësi. | Burimi /k.s/r.e/ ata.gov.al

Atij puna s’i ka duk
Që e bën për me u duk.

– Naim Frashëri